Përfundon mbledhja e LDK-së, Abrashi: Dorëheqje ka dhënë vetëm Mustafa, jo kryesia e partisë

Ka përfunduar mbledhja e kryetarëve të Degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Të pranishëm në takim ishin ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, nënkryetari Lutfi Haziri, sekretari i Përgjithshëm Arban Abrashi si dhe kryetarët e degëve të kësaj partie.

Lidhur me takimin në fjalë detaje ka dhënë Arban Abrashi.

Abrashi tha se mbledhja ishte koordinuese për veprimet që priten të merren në procesin zgjedhor për të parin e kësaj partie.

Ai theksoi se kryesia e LDK-së nuk është e dorëhequr por se dorëheqjen nga pozita e të parit e ka paraqitur vetëm Isa Mustafa, dhe që është pranuar nga kryesia.

Abrashi tha se strukturat vazhdojnë të mbesin të njëjta.

Sipas tij nëse dikush nga kryetarët e degëve duan të japin dorëheqje është çështje e tyre.

Pas takimit nuk është bërë e ditur se kur do të mbahen zgjedhjet për kryetarin e LDK-së.

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie ndër të tjera tha se po bëhen përgatitjet e fundit për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së.

Për shkak të rezultatit të dobët të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, para disa ditësh Isa Mustafa ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit.