Përfundon greva e mësuesve në Los Angeles, u rriten pagat për 6 për qind

Mësimdhënësit dhe zyrtarët e arsimit në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara kanë arritur marrëveshje për t’i dhënë fund grevës, nga e cila u prekën më shumë se 600 mijë nxënës dhe e cila e kishte vënë në pikëpyetje të ardhmen e sistemit të arsimit në këtë rajon.
Lajmi për arritjen e marrëveshjes u bë i ditur nga kryetari i Los Angelesit, Eric Garcetti, dhe kryetari i Sindikatës së Mësuesve, Alex Caputo-Pearl. Marrëveshja erdhi pas bisedimeve të gjata që u zhvilluan gjatë tërë natës. Kështu, sindikata e arsimit njoftoi se procesi mësimor do të rifillojë të mërkurën.

Sipas marrëveshjes së arritur, në sistemin arsimor do të punësohen mësues të mjaftueshëm për ta zvogëluar numrin mesatar të nxënësve në një klasë për katër nxënës më pak deri në vitin 2022 pasi mësuesit ishin ankuar për numrin e madh të nxënësve në klasë, i cili arrinte deri në 40 të tillë.

Zytarët kanë premtuar që do t’i punësojnë edhe 300 infermiere shtesë gjatë tre vjetëve të ardhshëm në mënyrë që secila shkollë ta ketë një infermiere që do të punojë me orar të plotë. Në marrëveshje përfshihet edhe punësimi i një bibliotekari në secilën shkollë dhe rritja e pagave për mësimdhënësit për 6 për qind, shkruan “The Washington Post”,