Hagë

Përfundon gjykimi për këtë javë ndaj Thaçit e të tjerëve, vazhdon javën tjetër

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se ka përfunduar gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK’së dhe të tjerëve për këtë javë dhe se do të rinis më 11 dhjetor.

Seanca e ardhshme do të mbahet javën tjetër, me fillim nga ora 09:00, ku do ta vazhdojë dëshminë dëshmitarja Sandra Mitchell.

“Përfundon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve për këtë javë/rinis më 11 dhjetor. Seanca e sotme ka përfunduar ndërsa gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve do të vazhdojë të hënën, më 11 dhjetor, në ora 09:00, kur dëshmitarja Sandra Mitchell pritet të vazhdojë dëshminë e saj”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, javën e ardhshme do të shqiptohet edhe aktgjykimi i apelit kundër Salih Mustafës.

Në njoftim thuhet se seanca do të jetë publike dhe mund të përcillet në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze përmes faqes së internetit të DHSK-së me një vonesë prej 10 minutash, ose nga galeria publike në mjediset e Gjykatës.

“Aktakuza e ngarkon Salih Mustafën në bazë të përgjegjësisë penale individuale dhe përgjegjësisë penale si epror me katër akuza për krime lufte (ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme) të kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në fshatin Zllash, në rajonin Gollak të Kosovës. Sipas Aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë dhe roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash. Qëllimi i përbashkët përfshinte krimet e paraqitura në Aktakuzë”, thuhet në njoftim.