Përcaktimet ditore të çmimit tavan të derivateve nuk po publikohen më nga Ministria e Tregtisë, pasi këtij vendimi i ka skaduar afti prej një muaji. Megjithatë, as pas kësaj, këtë të mërkurë nuk u vërejtën ngritje të çmimeve.
Tashmë u mbetet vetë naftëtarëve ta vendosin çmimin e derivateve. Për respektim të parimeve të tregut të lirë dhe liberal, ka bërë thirrje Shoqata e Naftëtarëve, njofton Klan Kosova.
Pavarësisht se është thënë se trendi është në rënie të lehtë të çmimeve, ekonomisti Mustafë Kadriaj beson se tavani duhet të rivendoset nga qeveria, për ta pamundësuar keqpërdorimin nga bizneset dhe për t’i ruajtur konsumatorët.
Ndryshe vlerëson Fadil Berjani i naftëtarëve, që thotë se një pjesë e tregtarëve kanë punuar me humbje.
“Çmimi të cilin e ka diktuar ministria i ka sjellë pikat e karburantit me pakicë buzë falimentimit. Dhe të gjitha pikat me pakicë kanë punuar me humbje. Ka raste kur benzina është shitur me -10 centë me humbje”, ka thënë ai për Klan Kosova.
Ministria nuk është përgjigjur për të dhënë detaje nëse do të ketë vendime të reja për derivatet, veçse në një komunikatë të tri ditëve më parë ka thënë se masat në vijim për këtë çështje do të merren në bashkëpunim me të gjitha palët.







