Krerët e UÇK-së

Përfundon dëshmia e Ramiz Qeriqit në Speciale, javën e ardhshme një tjetër dëshmitar

Pas përfundimit të dëshmisë së ish anëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramiz Qeriqi – nga Dhomat e Specializuara të Kosovës është thënë se gjatë javës së ardhshme do të dëshmojnë dy dëshmitarë.

Lajmin e ka bërë të ditur për Albanian Post zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Christopher Bennett.

“Dëshmitari i parë javën e ardhshme do të shfaqet vetëm shkurt për të përfunduar dëshminë. Është dëshmitari 4739 që dëshmoi në seancë me dyer të mbyllura. Dëshmitari tjetër, i cili ka të ngjarë të fillojë të dëshmojë të hënën në mëngjes, do të dëshmojë publikisht”, ka thënë Bennett.

Më 23 prill, në Gjykatën Speciale kishte nisur dëshminë dëshmitari i 55-të, Qeriqi, i cili është duke u intervistuar nga prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish krerëve të UÇK-së.

Intervistimin e Qeriqit e kishte nisur prokurorja D’Ascoli, e cila e ka pyetur atë për një dokument që i është dhënë Tribunalit të Hagës në vitin 2005, dokument ky që ishte nënshkruar nga Shukri Buja.

Në seancën e parë Qeriqi, pas pauzës ishte intervistuar nga avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Jeffrey Roberts, i cili e ka pyetur atë për një letër që e kishte pranuar nga Azem Syla për të ia dorëzuar më pas Rexhep Selimit.

Ai ka thënë se para kësaj porosie që kishte marrë se kishte takuar asnjëherë Rexhep Selimin.

Ndërkaq, pohoi se s’kishte lexuar se çfarë kishte ajo letër, por që me aq sa i kujtohet Selimi e kishte lexuar në prani të tij.

Ai gjatë së mërkurës në ditën e dytë ishte marrë në pyetje nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, Aiden Ellis.

Ellis, e ka pyetur atë nëse e kishte parë ish komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, duke jepur urdhra ose udhëzime ndaj anëtarëve ai ka mohuar një gjë të tillë.

“Jo, ju lutem jo. Me përjashtim, atëherë kur ka qenë në Krojmir. Unë nuk kam pas pjesë as me Shtabin e Përgjithshëm as me zonën përveç deri në brigadë”, tha Qeriqi.

Qeriqi, deklaroi se Jakup Krasniqin, e kishte parë vetëm një herë.

“Atë ditë në Krojmir, tjetër ditë nuk e kam parë. Ka mund të jetë edhe në ndonjë ditë tjetër, por se kam parë”.

I pyetur për Hashim Thaçin, ai u shpreh se nuk kanë qenë të informuar për funksionin e tij, por që më vonë e ka kuptuar që ka qenë staf politike në Shtabin e Përgjithshëm.

“Nuk e kemi ditur pozicionet e tyre. Por, më vonë e kemi kuptuar që ka qenë politik në Shtabin e Përgjithshëm dhe ka marrë pjesë në Rambuje. Atë kohë nuk e kemi ditur pozitën e saktë, por pas lufte e kemi kuptuar. Për Azem Sylën, e kemi ditë që ka qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm”, tha Qeriqi.

Ndërsa, shtoi se Thaçi s’ka marrë pjesë në mbledhje, por në takimet e rastit.

“S’ka marrë pjesë në mbledhje, por në takimet e rastit që kanë qenë dhe njëherë që ka ardhur në Krojmir. Për këto raste, jo në mbledhje”, tha ai duke shtuar se në Krojmir nuk i kujtohet saktë se çfarë ka pasur veshur.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.