Tashmë ka përfunduar bastisja me urdhër të Dhomave të Specializuara në shtëpinë e ish komandantit të UÇK-së në zonën e Drenicës, Sylejman Selimit.

Vëllai i tij, Mentor Selimi, ka treguar para mediave se Sylejamni nuk është bastisur në cilësinë e të dyshuarit mirëpo sipas Speciales mund të ketë pasur në shtëpinë e tij prova që ndërlidhen me gjykimet aktuale ndaj ish krerëve të UÇK-së që gjenden në paraburgim në Hagë.

Mentor Selimi basitisjen e sotme e quan të kundërligjshme dhe thyerje të privatësisë.

“Fillimisht vlen të theksohet se ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar mirëpo sipas Gjykatës mendohet se në shtëpinë e tij mund të ketë pasur prova të cilat ndërlidhen me procedimet penale për implikim të drejtësisë. Ne i kemi disa vërejtje edhe vetë, mendojmë se vendimi nuk është lëshuar në përputhje me dispozitat ligjore dhe kjo cenon edhe disa të drejta kushtetuese sepse nuk mund të cenohet privatësia e një personi”, ka thënë ai.