Lajmi i fundit

Përfundon aksioni i bastisjes në Banjskë

Ka përfunduar aksioni i Policisë së Kosovës për bastisje në Banjskë të Zveçanit, ka konfirmuar të martën zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani.

Elshani ka thënë se nesër pas orës 9 do të vendoset se si të procedohet tutje.

“Ka përfunduar aksioni i bastisjes. Nesër pas orën 9 do të vendoset se si të procedohet tutje”, ka thënë Elshani.

Gjatë bastisjes, Policia ka konfiskuar arsenal armësh dhe mjetesh të ndryshme, të cilat u prezantuan edhe nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla e drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, në një konferencë për media të hënën.

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.