Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, gjatë konferencës së sotme për media ka bërë të ditur se kanë përfunduar hetimet në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt dhe se është ngritur aktakuzë ndaj tre të dyshuarve – Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.
“Siç e dini ky ka qenë rast i ndishëm, fillimisht ka qenë i inskenuar si grabitje, mirëpo falë angazhimit maksimal të hetuesve dhe prokurorëve brenda një afati të shkurtë kohor kemi arritur t’i zbulojmë kryesit e kësaj vepre penale. Ka qenë një çështje penale jashtëzakonisht e ndjeshme edhe sa i përket kompleksitetit të saj dhe janë zhvilluar hetime në shumë dimensione për arsye se kemi siguruar ekspertiza edhe brenda edhe jashtë vendit tonë”, tha Gashi, raporton Ballkani.info.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi pret dënim kapital nga gjykata ndaj të akuzurave për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
“Sa i përket cilësimit të kësaj vepre penale ashtu sic e tha edhe prokurorja, kjo vepër penale është vepër penale “vrasje e rëndë” e kryer nga anëtari i familjes dhe e kryer në mënyrë dinake e cila vepër e bën të cilësuar këtë natyrë të veprës penale andaj si e tillë presim nga Gjykata një dënim kapital sa i përket kryerësve të kësaj vepre penale të cilët ne mendojmë dhe konsiderojmë që kemi arritur në mënyrë profesionale të grumbullojmë të gjitha provat dhe presim epilogun në gjykatë”, tha ai.
Kujtojmë që 30 vjeçarja Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës./Ballkani.info/







