Lajmi i fundit

Përfundojnë bastisjet në Zubin Potok dhe Zveçan

Kanë përfunduar bastisjet e Policisë së Kosovës në dy komunat veriore, Zveçan dhe Zubin Potok të cilat kanë të bëjnë me sulmin terrorist të 24 shtatorit në fshatin Bansjkë të Zveçanit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Sipas tij, pas kryerjes së bastisjeve nuk ka persona të arrestuar.+

I pyetur nëse ka ndonjë konfiskim apo sekuestrim, Elshani tha se nuk ka dijeni pasi siç u shpreh ai “bastisjet janë kryer nga Prishtina dhe njësia e veriut veçse ka asistuar”.

Ndryshe, më 24 shtator, një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit – komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Si pasojë e sulmit, mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Në kundërpërgjigje të sulmit terrorist, Policia vrau tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin terrorist e ka marrë Milan Radoiçiq, i cili pas sulmit dha dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe, parti kjo e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.