Përfshihet nga zjarri në objekt në Gjakovë, vdes një 11-vjeçare

Në orët e para të ditës së sotme një ngjarje tragjike ka ndodhur në Gjakovë. Një 11-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e zjarrit që përfshiu banesën në të cilën jetonte.

Lajmin për Ballkani.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës Sheremet Elezaj.

“Me datë 20.06.2022 rreth orës 01:37,  Stacioni Policor-Gjakovë ka pranuar informatë për një zjarr që kishte përfshire një banesë në rrugën “Yll Morina” në Gjakovë. Patrulla policore ka konfirmuar zjarrin ku ishte duke u djegur një banesë në një bllok banesor. Zjarrfikësit kanë dalë në vend e ngjarjes dhe është bërë evakuimi i banorëve. Në banesën në fjalë pas shuarjes së zjarrit është gjendur trupi i viktimës femër/kosovare lindur në vitin 2011 për të cilën ekipi mjekësore ka konstatuar vdekjen e saj. Njësitet relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar Prokurori i Shtetit me rekomandimin e të cilët është iniciuar rast “Hetim i Vdekjes” dhe “Zjarrvenje”, tha Elezaj.

Ai tha më tej se trupi i pa jetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Edhe zjarrfikësit kishin dalë në vendngjarje ndërsa bashkë me policinë kishin bërë evakuimin e banorëve të tjerë të të njëjtit bllok banesor./Ballkani.info