Përfitoi 60 mijë euro kundërligjshëm në Gjakovë, prokuroria kërkon paraburgim për të

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit F.M.,  për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, si dhe, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria njofton se, “i pandehuri F.M., nga data e pavërtetuar e deri më 02 gusht 2022 në një kafiteri në Gjakovë,  me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, dhe duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit, organizon dhe merr pjesë në zhvillimin e veprimtarisë së lojërave të fatit – baste sportive, ku nga bastet e luajtura nga Sh. H.,  i pandehuri përfiton para në shumën prej 60.000 (gjashtëdhjetë mijë) euro”, njofton prokuroria.

Me këto veprime, sipas prokurorisë, ka kryer veprën penale, “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294 paragrafi 3 lidhur me paragrafi 2 të KPRK-së.

“Gjithashtu, i  pandehuri F.M., më parë e deri më 09 gusht 2022, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat  i janë konfiskuar nga ana e policisë. Me këto veprime ka kryer veprën penale, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 2 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit F.M.,  ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh