Përfaqësuesit e Listës Serbe vizitë në Gjermani, vazhdojnë të viktimizohen

Përfaqësuesit e Listës Serbe diskutuan sot në Berlin me Drejtorin e Zyrës së Evropës Juglindore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Kristijan Helbach.

Ata i folën diplomatit gjerman lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë dhe thanë se ka tensione në rritje, të cilat sipas tyre vijnë si rezultat i institucioneve të Kosovës.

Presidenti i Listës Serbe, Goran Rakiq, nënkryetari Dalibor Jevtiq dhe anëtarët e Presidencës Bratislav Nikoliq dhe Sasha Milosavljeviq biseduan me diplomatin gjerman Helbach edhe për aksionin e Policisë së Kosovës në veri.

Ata thanë se ekziston rreziku që një gjë e tillë të vazhdojë me qëllim të frikësimit të popullit serb.

Ata thanë se është e domosdoshme të vazhdohet dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës por që është e nevojshme të hiqet taksa për mallrat serbe.

Delegacioni i Listës Serbe gjatë një vizite dy-ditore në Berlin do të bisedojë nesër këshilltarin e kancelares gjermane Angela Merkel, Matias Lutenberg.

Vlen të theksohet se për vizitë zyrtare në Gjermani po qëndron edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj së bashku me zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli.

Gjithashtu, Lista Serbe i ka quajtur politike dhe me karakter etnik arrestimet e fundit të policisë së Kosovës që përfshinë edhe qytete në jug të vendit, ku u arrestuan edhe 4 shqiptarë dhe 4 boshnjakë.

Gjithashtu, kryetarët e komunave veriore të Kosovës, kanë paralajmëruar dorëheqjet e tyre edhe pas zgjedhjeve që u mbajtën muajin e kaluar, pikërisht si pasojë e dorëheqjeve të tyre.

Ndërkohë, ekspertët e politikës e kanë parë Listën Serbe si aplikuese të politikave të Beogradit në Kosovë dhe si një bllokadë për funksionalizimin e veriut të Kosovës.