Përfaqësuesi i të zhdukurve nuk beson se çështja e tyre do të zgjidhet në dialogun me Serbinë

Gjatë ditës së sotme, bashkëkryesuesit e Ekipit Negociator për dialog me Serbinë, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, kanë dorëzuar platformën e dialogut tek kryeparlamentari Veseli.

Platforma pritet të dërgohet në Kuvend në ditët në vijim për miratim, transmeton Ballkani.info.

Njëra ndër çështjet më të theksuara të platformës është planifikuar të jetë edhe çështja e të pagjeturve, e cila është planifikuar të zgjidhet përfundimisht në dialogun me Serbinë.

Por nga ana tjetër, përfaqësuesi i familjeve të të zhdukurve të Kosovës, Bajram Qerkini, në një prononcim për Ballkani.info, ka thënë se nuk beson fare që kjo çështje do të zgjidhet përfundimisht në dialog.

“Unë nuk jam në dijeni që si përfaqësues nga vendi jonë është edhe ndonjë familjar i personave të zhdukur, por nuk besoj që kjo çështje do të zgjidhet në tavolinë me Serbinë. Shteti serb ka vite që ka bërë lojra me çështjen e të zhdukurve të luftës në Kosovë dhe mendoj që do të vazhdoj loja e njejtë”, ka thënë Qerkini.

Sipas Qerkinit, serbët nuk janë njerëz që i përfundojnë këto çështje përmes një takimi, andaj edhe beson se kjo procedurë do të marrë kohë të gjatë.

Kujtojmë se edhe pas 20 vite nga lufta, në Kosovë janë ende 1647 familje që presin kthimin e anëtarëve të tyre që janë zhdukur. /Ballkani.info