Luka Modric u bë lojtari i fundit i Real Madridit që e fiton Topin e Artë, teksa presidenti i “Los Blancos”, Florentino Perez beson se mesfushori kroat do të ndiqet nga shumë futbollist tjerë të kampionëve të Europës.

Triumfi i Modricit në Champions League me Real Madridin dhe arritja deri në finalen e Kampionatit Botëror me Kroacinë, u shpërblyen mbrëmë në një ceremoni gala në të cilën 33 vjeçari fitoi Topin e Artë.

Modric i dha fund dominimit 10 vjeçar të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, që kishin fituar nga 5 herë trofeun, me yllin portugez që e kishte fituar Topin e Artë në 4 raste me fanellën e Real Madridit, gjatë viteve 2013, 2014, 2016, 2017.

Ndërsa u spekulua se arsyeja e largimit të Ronaldos drejt Juventusit verën e kaluar ishte për shkak të Perezit, ky i fundit beson se pas Modricit do të ketë edhe shumë futbollistë tjerë të madrilenëve që do të triumfojnë në trofeun më të rëndësishëm individual.

“Real Madridi ka një lidhje shumë të rëndësishme me këtë trofe. Është një histori e bukur mes Topit të Artë dhe Real Madridit, dhe jam i sigurtë se do të vazhdojë”, theksoi Perez.