Pas dy orëve vonesë ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës sot po mban seancë të jashtëzakonshme, ku do të shqyrtohet platforma për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në fillim të seancës fjalën e ka marrë deputeti Avdullah Hoti nga radhët e LDK-së, i cili ka thënë se kjo seancë duhet të shtyhet për një ditë tjetër, transmeton Ballkani.info.

Pas hedhjes në votim të propozimit të grupit parlamentar të LDK-së, deputetët nuk e miratuan kërkesën e tyre dhe seanca ka vazhduar me rregull.

Por debati nuk u ndal me kaq, pasi që deputetët e opozitës u shprehën kundër mbajtjes së seancës për grupin negociator dhe dialogun përderisa ata nuk kanë kompetenca ligjore.

Fjalën më pas e morri edhe kryeministri Haradinaj i cili kërkoi pakëz durim nga deputetët, por kjo nuk ndikoi tek deputetët e LDK-së të cilët përderisa Haradinaj ishte duke folur në foltoren e Kuvendit, u larguan nga salla. /Ballkani.info