Liridon Fandaj, njëri nga njerëzit e Vetëvendosjes në Suharekë ishte filmuar në një hulumtim të KALLXO.com në aferën e njohur si ‘Afera e kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërguti’.

Fandaj ishte përfshirë në aferën që fliste për një korrupsion të nivelit të lartë ku pretendohej që të paktën 150 mijë euro ishin dhënë për ish-kryeprokurorin e Apelit.

Dosja që është duke u hetuar në Prokurorinë Speciale ende nuk ka një epilog, ndërsa Liridon Fandaj është fotografuar në takime të nivelit të lartë të Lëvizjes Vetëvendosjes.

Fandaj ishte suspenduar nga pozicionet e tij në këtë parti në qershor të 2022-tës, mirëpo së fundmi KALLXO.com mëson për një diskutim brenda degë së LVV-së në Suharekë për kandidaturën e Fandajt për zgjedhjet e ardhshme.

Në dëshmitë e transmetuara me 24.10.2022, Fandaj ishte filmuar duke konfirmuar se kishte qene pjese e negociatave ku ishin dhëne 150 mije euro për ish-kryeprokurorin e Apelit, Haxhi Dërguti.

Njeriu i këtyre negociatave të korrupsionit është fotografuar me datë 15.06.2025 në krahë me deputetin, Sali Zyba në një takim ku ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

Aktivitetit i Fandajt mësohet se ka nisur një diskutim të brendshëm në degën e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës.

Burime të KALLXO.com thonë se brenda LVV-së ka diskutime për dhe kundër lejimit të Fandaj për futjen në listë për asamble.

Por një vendim brenda partisë ju ka ndaluar strukturës së Vetëvendosjes në Suharekë të flasin në çështjen Fandaj.

Salih Zyba dhe Liridon Fandaj gjatë një takimi të strukturave qendrore të LVV-së me ato lokale në Suharekë. Në këtë takim ishte i pranishëm dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti | Foto: LVV, 15.06.2025

Jetmir Durmishi është kryetar i degës në Suharekë. Ai në fillim ka kërkuar ti dërgohen pyetje me e-mail për çështjen Fandaj, por pas pranimit të pyetjeve në email, përmes një bisede telefonike me KALLXO.com, ka konfirmuar që struktura e Vetëvendosje nuk i lejon të përgjigjet për këtë çështje.

“Unë e pyeta më tha është çështje e SP-së (Sekretariatit të Përgjithshëm) është çështje e nivelit të dytë. Mos ju kthe përgjigje. Mos u bëjë palë pa nevojë ”- ka thënë Durmishi në telefon.

Edhe kandidati për kryetar të Suharekës nga Vetëvendosje, Hamdi Bytyqi nuk ka dhënë një qëndrim të qartë për fotografitë e Fandajt në ditën kur ai është nominuar dhe diskutimet e brendshme për futjen ose jo në listë të njeriut që u përfshi në aferën e kryeprokurorit Haxhi Dërguti.