Sot rreth orës 15:30, Policia e Kosovës është njoftuar për një zjarr në dy objekte, në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë e nevojshme policore, zjarrfikësit si dhe ekipet mjekësore.

Pas evakuimit të banorëve, policia bashkërisht edhe me faktorët e tjerë relevant po punojnë me intensitet të shtuar për të sqaruar të gjitha rrethanat nën të cilat ka ndodhur rasti.

“Mbështetur në rezultatet e para të hetimit si dhe të atyre të ekzaminimit të vendngjarjes është ngritur dyshimi e bazuar se tymi mund të jetë shkaktuar nga faktori njeri, saktësisht nga persona të dyshuar që në mënyrë ilegale kanë qenë duke punuar në kabllo elektrike dhe njësorët e rrymës, të cilat janë të vendosura në ndërtesat në fjalë. Gjë për të cilën policia ka shoqëruar në stacion policor një person të dyshuar”, ka thënë për Ballkani.info, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti tha se në këtë rast nuk ka pasur pasoja në njerëz, dhe se janë shkaktuar vetëm dëme të pjesshme materiale. /Ballkani.info/