Për tri vjet, Trump nënshkroi 28 urdhra më shumë se Obama

Nuk ishte para shumë kohësh kur presidenti amerikan, Donald Trump, thoshte se urdhrat ekzekutivë presidencialë janë kapje e pushtetit dhe fatkeqësi themelore. Sidoqoftë, duket se ai e ka ndryshuar qëndrimin pasi është zgjedhur shef i Shtëpisë së Bardhë.

Në secilin nga tre vjetët e parë të qëndrimit në pushtet, ai ka nënshkruar më shumë urdhra ekzekutiv sesa paraardhësi i tij në këtë pozitë, Barack Obama. Ai madje e tejkaloi Obama-n edhe për numrin e përgjithshëm të urdhrave të nënshkruar për tri vjet.

Në vitin 2012, presidenti i tanishëm amerikan kishte shkruar në Twitter: “Pse Barack Obama vazhdimisht po lëshon urdhra ekzekutivë që janë rrëmbim i madh i pushtetit?” Ai e kishte vazhduar këtë kritikë edhe pasi i kishte hyrë zyrtarisht garës për president.

Megjithatë, si duket presidenti ka mësuar diçka që e dinin edhe paraardhësit e tij. Është më lehtë që punët të kryhen përmes masave administrative sesa të dërgohen në Kongres, thotë profesori Andrew Rudalevige, i cili merret me historinë dhe efektet e masave ekzekutive të presidentëve amerikanë.

Kur Obama ishte zemëruar tepër për shkak të vështirësisë së madhe për të miratuar ligje përmes Kongresit, ai kishte deklaruar: “Nuk do ta presim legjislacionin që t’ua ofrojmë amerikanëve ndihmën që u nevojitet. Unë e kam një laps dhe një telefon”.

Deri tash, presidenti Trump i ka lëshuar 130 urdhra ekzekutivë. Për tri vjet, ish-presidenti Obama i kishte nënshkruar 108 të tillë, shkruan “Independent”.

loading…