Për të shpëtuar nga vdekja i thyem dyert e qelive të burgut të Dubravës

Shkruan: Sadik Zeqiri, ish i burgosur në burgun e Dubravës

Po e filloj këtë rrëfim menjëherë me këtë ngjarje: Skenari serb, me sjelljen e të burgosurve shqiptarë në Dubravë nga burgjet e tjera, po realizohej. Pas shumë provokimeve të forcave serbe nga pozicionet e arsenalit luftarak që ishin vendosur qëllimisht në objektet e burgut të Dubravës dhe në rrethinën e saj, arritën që një ditë forcat e NATO-s t’i detyronin që t’u përgjigjeshin këtyre sulmeve kundërajrore të forcave serbe.

NATO në ato çast nuk e dinte se Serbia aty kishte sjellë të burgosurit shqiptarë për t’i përdorur ‘mish për top’. Serbia kohë më parë i kishte larguar të gjithë të burgosurit nga Dubrava dhe aty kishte futur njësitë speciale serbe, më pas i kishte larguar ato dhe kishte bërë grumbullimin e të burgosurve shqiptarë.

Para se të ndodhte bombardimi i hapësirave brenda burgut, në afërsi ndodhej fshati Shushicë, që çdo ditë digjej e plaçkitej nga ushtria dhe policia serbe. Ne e shihnim luftën si në filma. Kjo na mundësohej pasi ishim në katin e dytë të Pavijonit C dhe shikonim nga dritarja. Pas një rezistence të UÇK-së, e cila me siguri i detyroi të largoheshin, filloi djegia e fshatit. Dëgjohej gërvalla e bagëtive, shiheshin gratë dhe fëmijët që ngjiteshin malit përpjetë. Një gardian, me flokë të bardha nga rrethi i Dubravës, hyri në dhomën tonë dhe na zuri duke shikuar nga dritarja dhe na tha: “Ai është fshati Shushicë dhe vetëm në atë fshat janë disa shqiptarë gjallë dhe ju që jeni në burg, ndërsa pjesën tjetër ose i kemi vrarë ose i kemi deportuar nga Kosova”.

Ditët ecnin, luftë bëhej e ne rriheshim çdo ditë nga gardianët serbë dhe nga milicia serbe derisa erdhi mëngjesi i 19 majit të vitit 1999, kur forcat e NATO-s bombarduan në Dubravë, Pavijonin C. Ato goditën pavijonin në mes, në të cilën ishte një dhomë me mbi 20 të burgosur shqiptarë. Në të mbetën të vdekur tre të burgosur: Gjokë Ndrecaj, Avdullah Tahiri dhe Enver Topalli e shumë të tjerë u plagosën.

Të gjithë thonë se dyert e burgut hapen dhe mbyllen veç me çelësa, ndërsa unë me shokët e dhomës – Shkumbinin, Ardianin, Gëzimin e Halitin – i thyemë ato me një shtrat. Ne pesë të burgosurit në dhomë, pasi e shkatërruam një shtrat, edhe pse nuk kishim fuqi pikën, sepse ishim afërsisht nga 50 kg peshë, katër prej nesh me shtratin e shkatërruar e goditëm derën e qelisë me ritëm të shpejtë e forcë të rreptë. Pas shumë goditjeve, e thyem derën e burgut, së bashku me pjesën e murit që ishte e kapur dhe dolëm nëpër korridorin e mbushur me mure të rrëzuara e shokë të plagosur. Më vonë, pasi nga dritaret e qelive kërkohej ndihmë për të shpëtuar të tjerët, sepse çelësa të qelive për t’i hapur dyert nuk kishte askund, sepse gardianët kishin ikur sapo kishin rënë bombat, kanë ardhur të burgosurit shqiptarë të pavijoneve të tjera që kanë qenë më të lira, e me kazma dhe mjete të tjera i kanë thyer e hapur dyert e tjera të burgut. Pas daljes nga pavijoni ne menduam se po dalim jashtë burgut, se po dalim në liri, por në mes të oborrit na dolën përpara gardianët dhe të burgosurit serbë të cilët veç filluan të armatoseshin dhe, me armë në duar e në drejtim tonin, na detyruan të ndalemi e të ulemi në tokë.

Sa herë që vijnë ditët e 19-24 majit më kujtohen ditët e gjenocidit serb të vitit 1999, masakra e Dubravës dhe shumë e shumë të tjera të kryera në Kosovë, për të cilat, edhe pse kërkohet drejtësi që 21 vjet e diku që 22, deri më tash drejtësia dhe zëri ynë kanë mbetur në qiell sikurse kujtimet dhe ankthi ynë përbrenda nesh.