Për spiunët rusë s’ka vend as në Sllovaki, nis ‘pastrimi’ si në Çeki

Republika e Sllovakisë ka vendosur të dëbojë tre diplomatë rusë, tha të enjten kryeministri i këtij shteti, Eduard Heger, pas një përçarje diplomatike që pati midis fqinjit të saj çek dhe Moskës.

“Tre përfaqësues të misionit diplomatik rusë duhet të përfundojnë aktivitetet e tyre në Sllovaki dhe duhet të largohen nga vendi brenda shtatë ditësh”, tha kryeministri Heger.

Heger tha se Sllovakia kishte marrë vendimin e saj “pas ngjarjeve të fundit në Republikën Çeke dhe pasi kishte vlerësuar plotësisht informacionin e shërbimeve tona të inteligjencës që bashkëpunojnë ngushtë me shërbimet e inteligjencës të aleatëve tanë”, shkruan Ballkani.info.

“Nuk ishte një gjest i pa bazuar, përkundrazi, veprimi ynë u bazua në informacionin e marrë nga shërbimi ynë i inteligjencës dhe shërbimet e inteligjencës të partnerëve tanë. Këta të ashtuquajtur diplomatë kanë kryer edhe punë tjera që nuk kanë të bëjnë asgjë me diplomaci, andaj janë të padëshiruar për vendin tonë”, u tha kryeministri gazetarëve.

“Në rastin e këtyre tre personave, aktivitetet e tyre shkuan përtej rregullave të përcaktuara në një mjedis ndërkombëtar”, tha ai.

Skandali i fundit i Rusisë ka shpërthyer pasi Republika Çeke dhe Rusia kanë dëbuar dhjetëra diplomatë pasi Praga akuzoi Moskën për orkestrimin e një shpërthimi në një depo armësh në vitin 2014 që vrau dy shtetas Çekë. /Ballkani.info/