Për shkak të vërshimeve, në Vushtrri ndërpritet procesi mësimor për dy ditë

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka folur për gjendjen në komunën që udhëheq ai pasi lumi Tërstena doli nga shtrati dhe vërshoi një pjesë të qytetit.

Në një bisedë me Gazetën Express, Idrizi ka thënë se situata është më e qetë ndonëse reshjet nuk janë ndalur, mirëpo tha se mbrëmë situata ka qenë më e rënduar.

“Reshjet janë ndalë, situate është me e qetë, por ka qenë një situatë e rëndë. Për herë parë ka dalë prej shtratit lumi Tërstena dhe ka vërshuar një pjesë të qytetit. Normal që ka shkaktuar dëme nëpër familje, por nuk ka pasur pasoja në njerëz dhe tash e kemi shpallë gjendjen e jashtëzakonshme”, deklaroi ai.

Idrizi bëri të ditur që për sot dhe nesër është ndërprerë procesi mësimor.

“Tri shkolla i kemi përgatit në rast nevoje me i evaku banorët në rast se ka nevojë”, tha ai.

Idrizi tha se deri më tani nuk kanë pranuar kërkesa për evakuim të banorëve.

“Dëmet më të mëdha ka pasur më së shumti në ekonomitë familjare, sepse uji u ka hyrë në shtëpia. Gjithashtu, sot kemi formuar komisionin për vlerësimin e dëmeve, sepse për momentin nuk kemi pasqyrë se sa është vlera e dëmeve të shkaktuara”, u shpreh ai.