“Për një jetë më të mirë” / Detaje rrëqethëse për 22 vjeçarin shqiptar që u vra në Britani

Armend Xhika, 22 vjeç, mbeti i vrarë si pasojë e një sherri me thika në Sheffield të Britanisë së Madhe të enjten e kaluar. I riu shqiptar u përfshi në një konflikt që i mori jetën. Ai u dërgua në spital, por fatkeqësisht nuk mundi t’i shpëtojë plagëve të rënda.

E gjithë ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Sheffield. Një shok i tij, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, ka zbuluar për mediat britanike se Armendi kishte shkuar ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe kishte nisur jetën në Sheffield ku mendohet se jetonte edhe e motra. “Për një jetë më të mirë për veten dhe familjen në Shqipëri”, shkruan “The Star”, transmeton Tvklan.

22-vjeçari kishte shkuar në Britani rreth 3 vjet më parë. Shoku i tij u shpreh se të rinjtë shqiptarë në përgjithësi paguajnë deri në 26 mijë Paund për të hyrë ilegalisht në Britani dhe për t’i shpëtuar në këtë mënyrë varfërisë në atdheun e tyre. Siç ka rrëfyer ai, ata marrin kredi në bankë, borxh tek miqtë dhe të afërmit ose hua tek bandat kriminale. I riu ka treguar për mediat se Armendi bënte disa punë për të përballuar shpenzimet.