Prokuroria Themelore

Për motive të ulëta qëlloi me armë një person, ngritet aktakuzë për tentimvrasje ndaj të pandehurit në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar të mërkurën se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.N, për veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri A.N, në Gjakovë në rrugën “Bardhyl Qaushi” me dashje, për motive të ulëta ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin F.N.

“…në atë mënyrë ditën kritike i pandehuri ka marrë revolen e tipit Ekol Tuna dhe me të takuar rreth orës 12:20 min të dëmtuarin, e nxjerrë revolen nga xhepi dhe në distancë prej 2 metra shkrep një herë ku si pasojë e gjuajtjes të dëmtuarit i shkakton plagë në regjionin e krahut të dorës së majtë dhe të regjionit ijor (lumbal) të anës së djathtë të trupit, të shkaktuara nga veprimi dinamik i predhës të hedhur nga arma e zjarrit dhe si të tilla, bëjnë pjesë në lëndimet e lehta trupore dhe me lëndim të përkohshëm të shëndetit”, thuhet në komunikatën për media

I pandehuri A.N, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokurori i Shtetit, në Gjakovë pasi më parë kishte siguruar e gjerë më datë 25.05.2023, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm nr.05/L-022 për Armët në Kosovë, ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar armë në shtëpinë e tij dhe atë pistoletën gjysme-automatike”.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mire se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara si më lartë.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë”.