vështirësitë e mediave

Për keqardhje, mediat në rajon më pak të lira e të pavarura

Në Tiranë, përfaqësues të Zërit të Amerikës dhe të organizatës IREX ishin në një veprimtari të përbashkët, ku u publikua Indeksi i qëndrueshmërisë së medias dhe u diskutuan vështirësitë e shumta të mediave në rajon.

Studiuesit sollën të dhëna dhe folën me shqetësim për presionet që u bëhen mediave në Ballkan nga qeveria dhe politika, si dhe diskutuan mbi rrugëdaljet nga kjo gjendje.

Zëri i Amerikës dhe organizata IREX zhvilluan sot një konferencë të përbashkët me departamentin e gazetarisë në Universitetin e Tiranës, titulluar Gazetaria nën kërcënim, ku u paraqit indeksi i qëndrueshmërisë së medias.

Drejtori i Zërit të Amerikës në divizionin e Euro-Azisë, dr. Elez Biberaj, tha se mediat në rajon po përballen me sfida të mëdha dhe është për të ardhur keq që sot shumë vende janë më pak demokratike dhe media e tyre është më pak e lirë dhe e pavarur, parimet profesionale po shkelen, ndërsa e vërteta po goditet gjithandej nga lajmet e rreme.

“Rusia dhe vende të tjera me qeveri autoritare kanë ndërmarrë përpjekje të gjithanshme për të minuar parimet dhe vlerat perëndimore demokratike dhe për të penguar integrimin e plotë të vendeve ish-komuniste në institucionet euro-atlantike. Përhapja shumë shqetësuese e të dhënave të rreme dhe manipulimi i të vërtetës, ndërsa mediat sociale janë kthyer në fushë beteja politike. Këto prirje negative mund të çojë në rënien e e besueshmërisë së medias dhe në shtrembërimin e rolit të saj tradicional si pushtet i katërt” – tha zoti Biberaj.

Indeksi i Qëndrueshmërisë së Medias bën një pasqyrë të gjendjes së mediat në botë, ku për Shqipërinë, mes të tjerash thekson se financimi i medias shqiptare mbetet një mister për shumë vite. Sektori I medias, thuhet në raport, është i shumëllojshëm nga ana numerike, por mënyra se si kaq shumë media veprojnë dhe mbijetojnë në një treg kaq të vogël mbetet e panjohur.

Përfaqësuesja e IREX, Tara Susman-Peña theksoi nga raporti se“sipas të dhënave jozyrtare, tregu i reklamave në Shqipëri është rreth 39 milionë euro, ose 48 milionë dollarë, që është niveli më i ulët në rajon dhe vazhdimisht po pakësohet. Numri i madh i gazetave, tv, dhe portale – thuhet në raport, – nuk mbijeton nga blerjet e lexuesve apo nga shikuesit, por nga lidhjet e interesave momentale të pronarëve të tyre, duke bërë favore në drejtime të ndryshme”.

Pjesëmarrësit në konferencë folën me shqetësim për gjendjen e mediave në Ballkan, ku vonesa e fuqizimit të demokracisë ka sjellë shtimin e trysnisë ndaj medias dhe ndërhyrjet e qeverisë në punën e tyre.

“Sa i përket sigurisë së gazetarëve, kemi raste të rralla të sulmeve ndaj gazetarëve, por po aq të rralla mbeten dhe zbulimet e këtyre krimeve dhe vënia para drejtësisë e autorëve. Retorika e ashpër politike e kryeministrit ndaj medias gjithashtu u përmend si faktor ndikues në klimën e përgjithshme” – tha Ilda Londo, nga Instituti Shqiptar i Medias.

Ndërsa drejtuesi i seksionit shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho solli përvojën e Zërit të Amerikës në shmangien e trysnive të politikës dhe pronarëve të mediave. Marrëdhëniet e Zërit të Amerikës me qeverinë janë rregulluar me ligj dhe asnjë zyrtar qeverie nuk mund t’i thotë gazetarëve të Zërit të Amerikës se çfarë ngjarjesh të mbulojnë, si të shkruajnë shkrimet apo çfarë këndvështrimi t’u japin teksteve.

“Këtë mbrojtje nga “shfrytëzimi i mundshëm” Zërit të Amerikës ia jep Karta mbi të cilin është themeluar, si dhe rregullorja e brendshme, mbi të cilin mbështet funksionimi i VOA, ku ka një kapitull të veçantë për atë që quhet “mur-ndarës, ose mur-mbrojtës” që mbron gazetarët nga ndikimi i një pale të tretë” – tha zoti Xhixho.

Ky vit është 75 vjetori i Zëri të Amerikës në shqip dhe i përpjekjeve të tij për të qenë një burim lajmesh profesionale e të besueshme. Ai i shfrytëzon edhe takime të tilla me studentë dhe profesorë të gazetarisë të nxitë forcimin e mediave në shoqëri demokratike.