Për histori: Studentët e nxënësit në Kosovë, nisin mësimin në të njëjtën ditë

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” sot nis viti i ri akademik 2022-2023.

Është hera e parë në historinë e arsimit në Kosovë që viti i ri akademik dhe ai shkollor nisin në të njëjtën datë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, në një intervistë për RTK-në ka thënë se mbi 4 mijë e 100 studentë të rinj i janë bashkuar UP-së këtë vit, në dhjetëra programe studimore, të ofruara në 14 njësi akademike.

“Këtë vit akademik kemi arritur ta ruajmë interesimin e nxënësve më të mirë, të cilët vijnë nga shkollat e mesme, që mund të konsiderohet një sukses në vete”, thotë Sahiti.

Ai e konfirmoi se në këtë rast duhet pasur parasysh trendin e uljes së numrit të maturantëve.

“Prandaj ne kemi arritur që të mos e humbim atë masën e zakonshme të të interesuarve për të studiuar në Universitetin e Prishtinës”, tha rektori Sahiti, duke shtuar se shpreson që ketë vit akademik ta kalojnë me sa më pak pengesa.

Kujtojmë se sot, pas një muaji grevë nga ana e mësimdhënësve, nisi edhe viti i ri shkollor.