Për herë të parë në histori: Cakaj ngrit çështjen e Luginës së Preshevës në OSBE

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka bërë të ditur se sot është takuar me Komisionerin e Lartë të sapozgjedhur të OSBE’së për Pakicat Kombëtare, Kairat Adbrakhamanov, ku edhe kanë biseduar për disa çështje në lidhje me Luginën e Preshevës.

Me anë të një postimi në Facebook, Gent Cakaj, ka njoftuar se sot ka qenë në Hagë për të biseduar me me Komisionerin e Lartë të sapozgjedhur të OSBE’së për Pakicat Kombëtare, Kairat Adbrakhamanov, për Luginën e Preshevës.

“Biseduam vetëm e vetëm për çështjen e fshirjes së adresave të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Shpalosëm informacion të hollësishëm edhe për disa praktika të tjera atje, lidhur me pamundësinë e përdorimit të hapur të simboleve kombëtare dhe nënpërfaqësimin e rëndë në institucione shtetërore”, ka shkruar Cakaj.

Tutje ai tha se ka marrë siguri se kjo çështje do të trajtohet  me përparësi të plotë nga Komisioneri i Lartë i OSBE-së për Pakicat Kombëtare.

Ndryshe iniciativa që ka marrë Cakaj për çështjen e fshirjes së adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, është për herë të parë në historinë e politikës shqiptare.