“Për herë të parë Kosova kishte një Qeveri që në program kishte përgatitjen e Padisë për gjenocid kundër Serbisë”

Dje u bën 21 vjet nga masakra në lagjen Qerim në Gjakovë ku janë vrarë 21 persona, gra dhe fëmijë. Mirëpo i mbijetuari i vetëm i kësaj masakre kishte qenë Dren Caka i cili kishte pasur vetëm 10 vjet në atë kohë.

Ai kishte mbijetuar duke u fshehur mbrapa trupit të vdekur të një prej grave.

Caka për këtë masakër kishte dëshmuar edhe në Tribunalin e Hagës. Ai kishte treguar se ishte fshehur në një bodrum me nënë dhe tri motrat e tij. Ata ishin bashkuar me familje të tjera, kryesisht gra dhe fëmijë, kurse burrat kishin qenë në kulmet e shtëpisë duke bërë roje.

Duke ndarë rrëfimin e Drenit, kryeparlamentarja, Vjosa Osmani ka shkruar se për herë të parë Kosova kishte një qeveri që në program të saj kishte edhe përgatitjen e Padisë për gjenocid kundër Serbëve, transmeton Indeksonline.

“-Për herë të parë, Kosova kishte Qeveri që në Programin e saj kishte edhe përgatitjen e Padisë për gjenocid kundër Serbisë. Për herë të parë, Kosova kishte institucione që flisnin para gjithë botës për vuajtjen e fëmijëve gjatë luftës dhe kërkonte drejtësi për ta dhe insistonte që nuk ka paqe pa drejtësi. Ta kujtojmë këtë sot e çdo ditë, përderisa përkujtojmë fëmijët e vrarë, masakruar e të djegur për së gjalli, në Gjakovë e anekënd Kosovës”, shkruan Osmani.