Për gjashtë muaj, 1500 raste të dhunës në familje janë raportuar në Polici

Luljeta Aliu kishte raportuar në organet e drejtësisë rrahjen nga bashkëshorti.

Ajo thotë se meqë ai drejton një biznes të madh, afër vetes kishte edhe shumë miq policë.

Thotë që e vërtetoi se ai, përmes tyre, tentoi ta fshihte dhunën e ushtruar ndaj saj.

Madje, sipas Aliut, Policia provoi ta fshihte edhe kërcënimin e kunatit për dëbim nga shtëpia në të cilën kishte jetuar.

Megjithëse kishte dëshmitarë, Policia, sipas saj, i kishte fshehur shumë nga deklaratat që ishin dhënë nga ta.

Ajo ka kërkuar nga shteti që të ketë qasje tjetër e të bazuar në ligj, për rastet e dhunës në familje.

Edhe 2 raste të grave të tjera si kjo e Luljeta Aliut, u lexuan nga vetë ajo në diskutimin për dhunën në familje, por të cilat kanë preferuar të mbesin anonime.

Zyrtarë të institucioneve të drejtësisë thonë se janë të përkushtuar për parandalimin dhe trajtimin e këtyre rasteve.

Por, Avokati i Popullit ka kritikuar institucionet e drejtësisë duke thënë se duhen deri në 8 vjet që një rast të trajtohet në Polici, Prokurori e Gjykatë.

Rasti i fundit tragjik për gratë që përjetojnë dhunë në familje ishte javën e kaluar, ku një grua vdiq në QKUK, pasi burri i saj dyshohet se fillimisht e kishte rrahur e pastaj rrugës për në spital e kishte hedhur nga vetura.