Për çfarë do të flasë Gërvalla me Dendiasin gjatë vizitës në Athinë

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, po qëndron nga dje për një vizitë zyrtare në Greqi. Gërvalla do të takohet sot në Athinë me homologun grek, Nikos Dendias.

Kjo vizitë e Gërvallës në shtetin helen pason vizitën që Dendias e kishte realizuar në Kosovë gjatë qershorit të vitit 2021. Të dy kryediplomatët do të dalin me deklarata për mediat rreth orës 13 e 30, pas bisedave që do të kenë.

Siç bëhet e ditur nga Athina, Gërvalla e Dendias do të flasin për bashkëpunimin ekonomik në mes të Prishtinës dhe Athinës, tregtinë dhe kulturën. Gjithashtu në këtë takim do të flitet për çështjet rajonale, përfshirë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu për dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Lidhur me këtë vizitë informacione kanë dhënë edhe nga zyra për media e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Siç kanë bërë me dije dje nga MPJ, fokus i kësaj vizite do të jetë thellimi i raporteve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Greqisë.

“Fokus i kësaj vizite është thellimi i marrëdhënieve bilaterale mes të dy shteteve.Ministrja Gërvalla gjatë qëndrimit në Greqi do të zhvillojë takime edhe me diplomatë dhe me komunitetin e biznesit për të inkurajuar avancimin e marrëdhënieve ekonomike dhe për të promovuar ofertën kosovare për investitorët e huaj.Ministrja Gërvalla gjithashtu do të ketë në fokus gjatë takimeve të saja forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e arsimit, kulturës, por edhe në fusha të tjera që janë të rëndësishme për të dyja vendet”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Kjo vizitë e ministres Gërvalla në Greqi vjen pas shumë zhvillimeve që kanë lënë të kuptohet se Athina zyrtare po shkon drejt njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Se njohja e Kosovës nga Greqia është jetike, thuhet edhe në raportin e publikuar para dy ditësh nga disa autorë të huaj. Siç thuhet në këtë raport, SHBA-ja duhet të angazhohet për të nxitur Greqinë për ta njohur Kosovën.