Për çdo vit ndryshe, ja çfarë mesazhi do të ketë këtë vit ‘Newborn’-i

Monumenti i Pavarësisë së Kosovës, ‘Newborn’, i cili për herë të parë ishte zbuluar në vitin e pavarësisë, më 17 Shkurt 2008, këtë vit po merr pamje të re me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë.

‘Newborn’ kishte paraqitur imazhin e shtetit më të ri në botë dhe ishte përcjellur me komente të mira edhe nga mediat botërore, transmeton Ballkani.info.

Si çdo vit tjetër, edhe këtë vit monumenti i pavarësisë do të shfaqë një tematikë të re.

Sipas ideatorit të këtij monumenti, Fisnik Ismajlit, i cili njëherësh është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PSD-së, ‘Newborn’ këtë vit do të përqojë mesazhin e ruajtjes së ambientit.

Në një prononcim për Ballkani.info, Ismajli ka thënë se punimet veçse kanë filluar dhe priten të mbarojnë si zakonisht, për festën e pavarësisë.

“Këtë vit, ‘Newborn’ do të ketë për temë ruajtjen e ambientit dhe secila shkronjë do ta ketë mesazhin e vet. Punimet kanë filluar dhe janë duke vazhduar, andaj pritet që të mbarojnë si zakonisht për datën 17 Shkurt”, ka thënë Ismajli për Ballkani.info.

Kujtojmë se mesazhet e përquara për çdo vit nga monumenti i pavarësisë, kanë pasur për temë zhvillimet aktuale të kohës në Kosovë.

Në vitin 2013, monumenti ishte ngjyrosur me flamujt e çdo vendi që e kishte njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Në 2014-tën, ‘Newborn’ mori ngjyrat e NATO-s dhe uniformave të UÇK-së, ndërsa një vit më vonë, Ismajli kishte lejuar qytetarët të vizatonin shkronjat e monumentit me tema të lira, përpos shkronjës ‘E’, e cila ishte ngjyrosur me bojë të zezë për të simbolizuar fjalën ‘emigracion’, pasi që po atë vit kishte ndodhur fluksi i madh i kosovarëve për në shtetet Evropiane.

Në vitin 2016, teksa shtetasit e Kosovës ende nuk kishin mundësi të udhëtonin në Evropë pa viza, monumenti mori ngjyrat e qiellit me gjemba. /Ballkani.info