Pikërisht 16 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin e iniciuar nga organizatat e dala nga lufta për katërshen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët aktualisht po mbahen në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Peticioni drejtuar Dhomave të Specializuara të gjykatës në Hagë kërkon që vendimi për ish-liderët e UÇK-së të merret vetëm mbi bazën e provave dhe fakteve të paraqitura dhe të administruara gjatë procesit gjyqësor.
“Çdo ndikim i drejtpërdrejtë apo i tërthortë politik, do të dëmtonte rëndë kredibilitetin e drejtësisë ndërkombëtare, e cila presim të jetë e paanshme dhe pa standarde të dyfishta.Respektim të plotë dhe të pakushtëzuar të të drejtave themelore të të akuzuarve, respektim të Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, si dhe respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; që garantojnë proces të drejtë, transparent dhe të paanshëm, në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë”.
“Trajtim dinjitoz dhe njerëzor, në përputhje me konventat ndërkombëtare për të drejtat e të paraburgosurve, duke garantuar respekt të plotë për integritetin fizik dhe psikologjik të tyre; përfshirë këtu edhe heqjen e menjëhershme të masës së paraburgimit, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e jashtëzakonshme të procesit dhe parimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm”, thuhet mes tjerash në peticion”.
Peticionin mund ta nënshkruani KETU
Më poshtë gjeni pesë pikat e kërkesës së këtij peticioni:
Respektim të plotë dhe të pakushtëzuar të të drejtave themelore të të akuzuarve, respektim të Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, si dhe respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; që garantojnë proces të drejtë, transparent dhe të paanshëm, në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë.
Trajtim dinjitoz dhe njerëzor, në përputhje me konventat ndërkombëtare për të drejtat e të paraburgosurve, duke garantuar respekt të plotë për integritetin fizik dhe psikologjik të tyre; përfshirë këtu edhe heqjen e menjëhershme të masës së paraburgimit, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e jashtëzakonshme të procesit dhe parimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm.
Vlerësim rigoroz, profesional dhe plotësisht të paanshëm të provave, në përputhje me standardet ndërkombëtare të pranueshmërisë, duke përjashtuar çdo provë që nuk përmbush kriteret e besueshmërisë, autenticitetit dhe ligjshmërisë procedurale.
Përjashtim të menjëhershëm dhe të plotë të çdo prove të siguruar apo të pranuar nga autoritetet e Serbisë, duke pasur parasysh se Serbia asokohe ishte palë në luftë dhe është dokumentuar ndërkombëtarisht përfshirja e forcave të saj në krime dhe masakra të kryera në Kosovë. Pranimi i provave të prodhuara nga ta, paraqet rrezik serioz për integritetin e procesit dhe bie ndesh me parimin e paanshmërisë dhe barazisë.
Eliminim të aplikimit të zgjeruar të konceptit të “përgjegjësisë komanduese”, pasi që në kontekstin e luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është paraqitur si organizim i armatosur i lindur nga rrethanat e vetëmbrojtjes së popullsisë dhe jo si ushtri shtetërore me zinxhir formal dhe të institucionalizuar komandimi. Parimi i përgjegjësisë penale në të drejtën ndërkombëtare është individual dhe nuk mund të zgjerohet në mënyrë kolektive apo abstrakte pa prova konkrete të kontrollit efektiv dhe urdhërdhënies së drejtpërdrejtë.







