Për 10 euro ryshfet, dënohet me 400 euro vozitësi i autobusit

Pas aprovimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 400 euro gjobë, Kemajl Sadikun, vozitës i autobusit, i cili akuzohej se i kishte ofruar 10 euro ryshfet policit kufitar.

Aktgjykimi është shpallur menjëherë pasi që gjykatësi Isuf Makolli ka marrë aktvendim për aprovimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, që ishte arritur ndërmjet Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të akuzuarit Sadiku.

“Dënimin e ki qysh e ki minimumin në marrëveshje, e ki 400 euro, 30 euro e ki shpenzimet e paushallit, dhe 10 eurot konfiskohen. Ky o vendimi sipas marrëveshjes”, ka thënë gjykatësi Makolli, pasi që është aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë.

Ndryshe, Kodi i Procedurës Penale ka përcaktuar formën e shpalljes së aktgjykimit.Paragrafi 2 i nenit 366 thotë se “Gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues në prani të palëve, të përfaqësuesve të tyre ligjor, të përfaqësuesve të autorizuar dhe të mbrojtësve lexon në seancë të hapur dispozitivin dhe shkurtimisht prezanton arsyet e aktgjykimit”.

Ndërkaq, paragrafi 5 i po këtij neni thotë “Të gjithë të pranishmit e dëgjojnë leximin e dispozitivit të aktgjykimit duke qëndruar në këmbë”.Ndryshe, paraprakisht para shpalljes së aktgjykimit, i akuzuari Sadiku ka deklaruar se mbetet pranë marrëveshjes për pranim të fajësisë, ashtu si edhe prokurori Rafet Halimi. Prokurori Halimi deklaroi se marrëveshja e arritur më 4 shkurt 2019, ka qenë e vullnetshme dhe propozon të aprovohet nga gjykata.Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Osman Haliti, ka kërkuar nga gjykata që klienti i tij të dënohet me gjobë.

“Duke pasur parasysh se i mbrojturi im ka qenë korrekt dhe i ka kontribuar kësaj çështje në ndriçimin e rastit, por edhe te marrëveshjes së pranimit të fajësisë të datës 4 shkurt 2019, i kisha propozu gjykatës që ta ketë parasysh se çfarëdo dënimi që të mbrojturit tim do t’i shqiptohej së paku gjykata të ketë parasysh e t’ia zbret brenda mundësive dënimin me gjobë.

Nëse i jep dënim me kusht së paku prej 300 euro që i mbrojturi im do ta përballonte dhe do ta kishte efektin e vet ky sanksion penal”, deklaroi ai.Kurse, i akuzuari Sadiku deklaroi se me dëshirë e ka pranuar marrëveshjen dhe nuk ka pasur presion. Gjykatësi Makolli ka pyetur prokurorin Halimi nëse në marrëveshje për pranim të fajësisë është përfshirë çështja e konfiskimit të monedhës në vlerë prej 10 euro, ndërkaq prokurori mohoi një gjë të tillë. Ndërkaq, gjykatësi Makolli deklaroi se janë plotësuar të gjitha kriteret nga neni 133, paragrafi 18 i Kodit të Procedurës Penal, andaj ai mori vendim me anë të cilit është aprovuar marrëveshja për pranim të fajësisë.

Ndryshe, në marrëveshjen e pranimit të fajësisë, të lidhur më 4 shkurt 2019, dënimi i rekomanduar për të akuzuarin është dënim me gjobë në shumë prej 400 deri në 600 euro.Sipas aktakuzës, më 23 dhjetor 2018, rreth orës 10:15, i akuzuari Kemajl Sadiku, si vozitës i autobusit në kompaninë “Loshi Reissen”, në mënyrë të drejtpërdrejt i jep 10 euro personit zyrtar, policit kufitar në mënyrë që ai të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.Sipas aktit akuzues, derisa ishte duke u kthyer nga Austria në Kosovë, në pikë kalimin kufitar në Merdarë, pasi i janë kërkuar dokumentet nga zyrtari policor i Kosovës, ai së bashku me dokumentet në listën e udhëtarëve kishte futur edhe kartëmonedhën prej 10 euro.