Nicolas Pepe është në Londër për t’i kryer testet mjekësore dhe për t’i finalizuar edhe detajet e fundit në kontratën e tij me Arsenalin, ku së shpejti pritet të konfirmohet si i transferuar nga Lille. Kjo gjë konfirmohet edhe nga një video e publikuar në rrjetet sociale.

Arsenali tashmë ka arritur marrëveshje në vlerë prej 72 milionë eurosh me klubin francez, ndërsa gjithçka që mbetet deri në kompletimin e transferimit janë testet mjekësore dhe nënshkrimi i kontratës.

24-vjeçari pritet të zyrtarizohet si lojtari i katërt i transferuar te “Topçinjtë” këtë javë, pas sulmuesit Gabriel Martinelli, mesfushorit Dani Ceballos, i cili vjen si huazim për një sezon nga Real Madridi, dhe mesfushorit William Saliba, i cili u transferua nga St Etienne për 27 milionë funte dhe menjëherë u huazua sërish te klubi i Ligue 1.

PEPE IS A GUNNER pic.twitter.com/sDfYPgzZPB

— GoonerViews (@GoonerViews) July 30, 2019

Transferimin e Pepes e konfirmon një video e publikuar në rrjetet sociale, ku futbollisti shihet i veshur me fanellën e Arsenalit.

“Topçinjtë” do të luajnë në Francë të mërkurën, kur do të përballen me Angers dhe pastaj do ta mbyllin turneun parasezonal me ndeshjen kundër Barcelonës në Camp Nou, të dielën.

Arsenali do të udhëtojë për në Spanjë vetëm disa orë para ndeshjes dhe ende nuk dihet nëse Emery do të vendosë t’ia dhurojë Peps disa minuta lojë kundër kampiones së Spanjës.