Pentagoni urdhërohet të ofrojë plane reagimi pas sulmeve në Arabinë Saudite

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka urdhëruar zyrtarët amerikanë të mbrojtjes që të planifikojnë kundërpërgjigje të mundshme ndaj sulmeve në stacionet e naftës në Arabinë Saudite.

Sidoqoftë, Shtëpia e Bardhë po pret që Arabia Saudite fillimisht të marrë vendim për ndonjë reagim para se të merret ndonjë hap tutje.

Dy zyrtarë amerikanë të mbrojtjes thanë se Pentagoni u udhëzua të bëjë plane gjatë takimit me presidentin në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se askush nuk paraqiti ndonjë plan të hollësishëm paraprakisht.

Një burim i afërt me Shtëpinë e Bardhë tha se administrata amerikane po vlerëson se koha është në anën e saj, sepse po e ndërton një çështje kundër Iranit, i cili e ka mohuar përgjegjësinë për sulmet në stacionet e naftës.

Ndryshe, sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ka udhëtuar të martën në mbrëmje drejt Arabisë Saudite për të biseduar me liderët e këtij shteti. Sidoqoftë, nuk pritet marrja e ndonjë mase para se ai të kthehet në Shtetet e Bashkuara dhe para se të mbahet mbledhja e ekipit për siguri kombëtare.

Pritet që ky problem të diskutohet mes liderëve botërorë edhe gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila do të mbahet javë.

loading…