Pensionohet prokurori i njohur, Sylë Hoxha

Sylë Hoxha, prokurori që ngriti aktakuza ndaj të dyshuarve për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, është pensionuar.

Dita e hënë, 10 shkurt, ishte dita e fundit e Hoxhës si prokuror i Prokurorisë së Shtetit.

Ai do të mbahet mend për hetimin e disa rasteve që kanë bërë bujë në opinionin publik, por edhe për përfshirje në afera publike.

Hoxha, i cili shërbeu si Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prizrenit dhe prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, ishte i përmendur në skandalin e përgjimeve “Dosja e Shefave”.

Kishte qenë nëntori i vitit 2011 kur Sylë Hoxha ishte përmendur nga dy njerëz të fuqishëm të PDK-së, Adem Grabovci dhe Njazi Thaçi.

Në këtë bisedë të zhvilluar në nëntor 2011, dëshmohet se PDK-ja në Prizren ka zgjedhur për kryeprokuror, Sylë Hoxhën i cili në të kaluarën ishte zyrtar i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Hoxha ka qenë zëvendësministër i Drejtësisë nga kjo parti.

Në serinë e tretë të përgjimeve “Dosja e Shefave” dëshmohet se Hoxha ishte zgjedhur nga PDK-ja.

Në të njëjtën kohë, Hoxha përmendet edhe si “i zgjedhur i partisë” që nuk dëgjonte “urdhrat e partisë”.

Për rastësi, kjo merret vesh kur Njazi Kryeziu i PDK-së refuzon që Fadil Kryeziu, një anëtar i LDK-së në Prizren të bëhet anëtar i Bordit të Ujësjellësit në Prizren.

Njazi Kryeziu, në skandalin e përgjimeve, dëgjohet duke thënë se Fadil Kryeziu duhet të hiqet nga lista sepse mund të veprojë njëjtë si Sylë Hoxha.