Qamil Behrami

Pensionohet kapiteni më i veçantë i Policisë së Kosovës

Njeriu që bëri shumë për sigurinë në trafik, ai që shihej në çdo cep të kryeqytetit duke e rregulluar trafikun, ndonëse kishte gradën e kapitenit, nga sot më nuk do ta shihni në detyrë.

Qamil Behrami, është pensionuar nga Policia e Kosovës këtë të premte. Ai ishte i veçantë, njohës i mirë i trafikut dhe i dashur nga qytetarët.

Kapiteni do t’i mungojë shumë njësisë së trafikut e cila me rastin e pensionimit i organizoi atij një ceremoni përshëndetëse.

Behrami tërë jetën ia ka kushtuar policisë, veçanërisht njësive të trafikut ku ka shërbyer në pozita të ndryshme udhëheqëse në departamente e stacione policore.

Kapiteni ndonëse i pensionuar, ka premtuar se do të angazhohet sërish nëse është nevoja për të dhënë ide apo propozime për kolegët e tij me të cilët kishte çdo herë bashkëpunim të mirë.

Karriera e kapitenit

Qamil Behrami karrierën e ka filluar në vitin 1970/71 në Akademinë Policore në Vushtrri. Si zyrtar policor ka punuar në Njësinë e Komunikacionit të Kosovës deri në vitet e 90’ta, kur edhe u largua nga puna nga sistemi i Serbisë.

Në vitet e 2000 është kthyer në Policinë e Kosovës. Në vitin 2002 është graduar në gradën e Togerit, dhe ka punuar në Drejtorinë e Komunikacionit Rrugorë, kurse prej vitit 2014 ka kaluar në NJRKRR të Prishtinës si Udhëheqës i Komunikacionit Rrugor për Kryeqytet.

Gjatë kësaj kohë ka marrë pjesë në shumë komisione për përgatitjet e draft-ligjit të trafikut rrugor të Kosovës të vitit 2007. Po ashtu ka marrë pjesë në përgatitjen e Udhëzimeve Administrative lidhur me lëmin e Komunikacionit.

Ishte i kyçur në shumë aktivitete policore dhe në implementimin e planeve operative.

Ka qenë në përcjellje të shumë personaliteteve shtetërore, duke filluar prej atyre të SHBA-ve e deri te shtete më të vogla.

Është shpërblyer me shumë mirënjohje dhe medalje në punë.