Pensionistët kërkojnë nga shteti t’i dërgojë dokumentet për përfitimin e pensioneve nga Serbia

Organizim institucional për tregim të dokumentacionit për realizimin e të drejtës për marrjen e pensioneve nga Fondi Pensional i Serbisë, kanë kërkuar përfaqësuesit e Federatës Sindikale të pensionistëve, invalidëve dhe të moshuarve të Kosovës.

Kryetari i kësaj federate, Sylejman Meta, gjatë një takimi me Komisionin për legjislacion të Kuvendit të Kosovës, të martën, ka thënë se ka tre muaj që ka kërkuar një takim me kryeministrin e Kosovës dhe me kryeparlamentarin Kadri Veseli, në mënyrë që këto dy institucione të vendosin mbishkrimin e tyre në dokumentacionet që duhet dërguar tek Fondi Pensional i Serisë, në mënyrë që të fitojnë pensionin, por ende nuk ka marrë një përgjigje nga ana e tyre, shkruan sot “Koha Ditore”.

Meta ka treguar se pensionistët tashmë kanë fituar të drejtën e pensioneve me vendimin që ka marrë Gjykata e Strasburgut në vitin 2012.

Sipas tij, vendimi parasheh që çdo pensionist të marrë nga 43 mijë euro si dëmshpërblim që janë larguar nga puna dhe kamatëvonesë për mosdhënie të pensioneve, si dhe pjesën tjetër të kontributeve që janë paguar nga qytetarët. Ai ka pohuar se janë diku 61 mijë pensionistë që u takon pensioni, pasi kanë derdhur kontribute në Fondin Pensional të Serbisë.