Pensionistët e arsimit kanë filluar aplikimin për përfitimin e shtesës për punë në vitet 90-ta

Mësimdhënësit pensinistë, që kanë punuar gjatë viteve të ‘90-ta, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, kanë filluar të aplikojnë për të përfituar nga Ligji për Statusin e Punëtorëve të Arsimit nga viti 1990 deri në 1999.

Drejtues të Sindikatës se Arsimit theksuan se aplikuesit po përballen me probleme, pasi që Ministria e Punës po u kërkon dokumente që nuk parashihen me udhëzimin administrativ.

Ymer Ymeri, nga Sindikata e Arsimit tha se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka vendosur një kriter shtesë që nuk ka qenë i paraparë në udhëzim administrativ.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka vendosur një kriter shtese që nuk është në udhëzimin administrativ. E kanë kërkuar vërtetimin që është paguar tatimi në pronë, që nuk është kriter i udhëzimit administrativ. Ne kemi reaguar dhe do të kemi një takim me Drejtorin e Pensioneve në nivel të Ministrisë se Punës dhe Administratës dhe do të kërkojmë që ai dokument të mos kërkohet pasi që nuk e parasheh udhëzimi administrativ”, ka theksuar Ymeri, për Radio Kosovën.

E këshilltari i ministrit të arsimit, Fatmir Bytyqi, tha se aplikimi i pensionisteve të viteve të 90-ta ka filluar dhe procesi është duke shkuar mirë.

“Me datë 15 gusht ka filluar procesi. Aplikimi do të bëhet nga mësimdhënësit që janë pensionistët në zyrat e pensioneve. Ministria e Punës e ka specifikuar dokumentacionin që duhet, dhe nëse mësimdhënësi që ka kontribuar nuk jeton, atëherë bashkëshorti apo bashkëshortja ka të drejtë të aplikojë për të gëzuar këtë pension. Nuk ka ndonjë problem deri tash, pasi janë të qarta gjërat dhe tash mund të fillojnë të aplikojnë për të gëzuar këtë të drejtë”, ka theksuar Bytyçi.

Ndërsa, në lidhje me këtë, Radio Kosova ka bërë përpjekje të marrë përgjigje nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por këta të fundit nuk janë përgjigjur në pyetjet e drejtuara.

Pensionistët këto pensione do t’i marrin në mënyrë retroaktive që nga hyrja e ligjit në fuqi në prill të viti 2019. Shuma e këtyre pensioneve do të jetë nga 14 deri në 70 euro. Aplikimi i pensionistëve ka filluar nga data 15 gusht e këtij viti dhe ky proces do të jetë i vazhdueshëm, atëherë kur punëtorët e arsimit arrijnë moshën 65 vjeçare do të kenë të drejtë të aplikojnë për pensionet e tyre.

Pensionistët e viteve të 90-ta aplikacionet e tyre mund t’i dërgojnë në qendrat rajonale për pension në kuadër të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenies Sociale.

Kostoja financiare për këtë vit do të jetë 6 milionë euro, kurse për 2020 kostoja pritet të jetë 7 milionë euro.

Sipas përllogaritjeve, këtë vit janë rreth 8 mije pensionistë që do të gëzojnë këtë të drejtë.

loading…