Pensionistët do të njoftohen në tetor nëse do t’u duhet të paraqiten për konfirmim

Për shkak të gjendjes pandemike në Kosovë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e kishte shtyrë afatin deri më 30 shtator për pensionistët që të paraqiteshin në Zyrën e Pensioneve.

Izet Shala nga kjo ministri ka thënë për KOHËN se në fillim të muajit të ardhshëm do të nxirret një vendim i ri për pensionistët, bazuar edhe nga situata me COVID-19.

“Në fillim të muajit të ardhshëm do të kuptohet me një vendim tjetër nëse pensionistëve do t’u duhet të paraqiten. Por, pensionistët nuk kanë qenë të detyruar as tash të paraqiten në Zyrë, por kur kanë pasur mundësi të lajmërohen. Nuk janë suspenduar nga pagesa për shkak të moslajmërimit. Për veprime të mëtutjeshme, ne do të dalim me vendim në fillim të muajit tetor”, ka thënë ai.

Sipas një njoftimi të MPMS-së në qershor, pensionistët nuk janë të obliguar të paraqiten në zyrat e pensioneve deri në kalimin e situatës pandemike, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Shala ka thënë se kjo do të bëhet e qartë në fillim të tetorit, atëherë kur do të bëhet e ditur nga institucionet përkatëse nëse gjendja do të jetë e sigurt.

Në kushte të rregullta, rreth 200 mijë pensionistët e disa kategorive në Kosovë, janë të obliguar të lajmërohen në Zyrën e Pensioneve dy herë në vit, sipas të dhënave të Ministrisë.

Këto rregulla janë ndryshuar për shkak të shpërthimit të koronavirusit. Shoqata e Pensionistëve të Kosovës i kishte bërë thirrje Ministrisë që t’i njoftojë vazhdimisht pensionistët për shtyrjen e këtij afati që të mos krijohen tollovi në Zyrat për Pensione.