Peleti për rezidencën ‘Ibrahim Rugova’ është blerë nga qeverisja Haradinaj

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kishte hapur tenderin për blerjen e lëndës djegëse – pelet për rezidencën “Ibrahim Rugova” me 22 nëntor të vitit 2017, më shumë se dy muaj pas ardhjes së Ramush Haradinajt në krye të Qeverisë së Kosovës.

pelet për rezidencën “Ibrahim Rugova”Procedura e prokurimit për blerjen e peletit ishte bërë pas kërkesës që e kishte parashtruar rezidenca “Ibrahim Rugova” në MKRS më 13 nëntor.

Më 18 dhjetor të vitit 2017 ishte nënshkruar kontrata për furnizim me pelet mes MKRS-së dhe N.T.Sh. “Diari” me vlerë prej 9.960 euro.

“Peleti është blerë për nevoja të rezidencës “Ibrahim Rugova” nga furnizuesi: N.T.Sh. Diari me vlerë totale të kontratës 9,960.00 € nëpërmjet procedurës së publikuar të prokurimit në pajtim me kërkesën e datës 13/11/2017 me numër protokolli 4674/2017 të dorëzuar nga rezidenca e Presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe të aprovuar nga MKRS”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së për KALLXO.com.

Blerja e peletit nga MKRS për rezidencën “Ibrahim Rugova” është konstatuar si pagesë e parregullt në raportin e auditimit të realizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për vitin 2017.

Sipas raportit të auditimit, duke u bazuar në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, MKRS mund të mbulojë vetëm shpenzimet e restaurimit dhe ato të konservimit për objektet e trashëgimisë kulturore në pronësi private.

“MKRS kishte nënshkruar kontratë në vlerë 9,560€ për “Furnizim me lëndë djegëse-pelet për Rezidencën Ibrahim Rugova”. Malli dhe fatura janë pranuar në vlerë totale, mirëpo në mungesë të mjeteve ishin paguar vetëm 1,510 euro”, thuhet në raportin e auditimit për MKRS-në.

Në faqen e Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), tenderi për blerjen e lëndës djegëse – pelet për rezidencën “Ibrahim Rugova” ishte emëruar si “Furnizim me lëndë djegëse-pelet, për nevoja të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.

Kallxo.com ka marrë konfirmimin e MKRS-së se aktiviteti i prokurimit i inicuar nga MKRS me titull “Furnizimi me lëndë djegëse – pelet” për nevoja të MKRS-së dhe ai i potencuar në raportin e auditimit për blerjen e peletit për rezidencën “Ibrahim Rugova” janë i njëjti tender.

“Po, për këtë aktivitet të prokurimit bëhet fjalë. Aktiviteti i prokurimit është publikuar për furnizim me lëndë djegëse – pelet për nevoja të MKRS-së pasi që në buxhetin konkretisht në sistemin BDMS kjo kategori e furnizimeve është e kategorizuar në kategorinë ekonomike të mallrave dhe shërbimeve me emërtim: Furnizim me Dru me përshkrim të përgjithshëm #207182494 FURNIZIM ME DRU, e në rastin konkret ka qenë furnizim me lëndë/djegëse pelet dhe natyrisht në dosjen e tenderit kanë qenë të përfshira edhe karakteristikat teknike të peletit”, vazhdon përgjigja e MKRS-së për Kallxo.com.

Statusi i Rezidencës “Ibrahim Rugova” sipas MKRS-së është objekt nën mbrojtje të përkohshme në listën e vitit 2017 me numër rendor 938 dhe me numër unik 4234.

Sipas MKRS-së në atë kohë është bërë furnizimi me pelet për rezidencën “Ibrahim Rugova” pasi ka pasur kërkesë nga kjo rezidence dhe se në asnjë moment nuk përjashtohen edhe institucionet tjera në vartësi varësisht nga kërkesat e tyre.

Përndryshe MKRS siguron lëndë djegëse edhe për institucionet kulturore dhe ato të Trashëgimisë Kulturore të cilat i ka në vartësi siç janë: Teatri Kombëtar i Kosovës, Ansambli i Valleve “Shota”, Qendra Regjionale për Trashëgimi Kulturore në Gjakovë, Qendra Regjionale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan si dhe në këtë sezon do ta furnizojë me pelet edhe Institutin e Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve.

Kallxo.com më herët ka raportuar për blerjen e peletit për rezidencën “Ibrahim Rugova” nga MKRS dhe gjetjet e raportit të auditorit.