Legjenda e Brazilit

Pele rradhit veten dhe Maradonën para Messit

Sulmuesi ikonik i Brazilit, Pele ka thënë se ai ka qenë futbollist më i mirë se ylli i Barcelonës, Lionel Messi, i cili sipas tij ka vetëm një shkathtësi.

Karriera te Barcelona ka bërë që Leo Messi të konsiderohet si njëri prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave, teksa ka thyer rekorde të shumta e ka fituar trofe pa fund.

Megjithatë, për Pelen që ka shënuar më shumë se 1000 gola gjatë karrierës së tij dhe ka fituar 3 Kupa Bote, Messi është shumë i varur nga këmba e tij e majtë.

“Si mund të bëni krahasime mes një lojtari që godet mirë me kokë, godet me këmbën e majtë dhe të djathtë, me një tjetër që gjuan vetëm me këmbën e majtë, që ka vetëm këtë shkathtësi dhe nuk është i mirë në ajër? Të krahasohet dikush me mua duhet t’i ketë gjërat që i kam përmendur”, tha Pele.

Por 78 vjeçari nuk e cilëson vetëm veten si lojtar më të mirë se Messi, derisa mendon se ka edhe shumë futbollistë tjerë të mëhershëm që janë më përpara për nga kualiteti se kapiteni i Barcelonës.

“Maradona ishte njëri prej lojtarëve më të mirë të të gjitha kohërave, ai ishte shumë më i mirë se Messi. Gjithashtu Beckenbauer dhe Crujff ishin lojtarë të jashtëzakonshëm”, përmbylli fjalët e tij Pele.

Lionel Messi ka realizuar 567 gola në 653 paraqitje për Barcelonën, gjersa është edhe golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares së Argjentinës me 65 gola në 128 takime.

Poashtu Messi ka fituar 5 Topa të Artë, 9 La Liga, 4 Champions League dhe 3 Kupa Bote për Klube.

Sukseset në rangun e kombëtareve kanë qenë pika e dobët e 31 vjeçarit që ka arritur deri në finalen e Kampionatit Botëror në vitin 2014 të cilën më pas e ka humbur përballë Gjermanisë, të njëjtin fat Messi e ka pasur në dy raste edhe në finalet e Copa Americas.