Pejë | Sulmoi me thikë e sëpatë anëtarët e familjes, Policia jep detaje

Në fshatin Kosuriq në Pejë një person ka sulmuar me thikë dhe sëpatë anëtarët e familjes. Lidhur me rastin janë arrestuar tre persona.

Rasti është cilësuar si “vrasje në tentativë” dhe “dhunë në familje”.

Këtë e ka konfirmuar Driton Rugova, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës.

“Policia menjëherë iu është përgjigjur vendit të ngjarjes, aty i dyshuari fillimisht është ndaluar nga familjarët e tij dhe i njëjti është arrestuar nga Policia. I dyshuari ka pasur disa lëndime, gjithashtu janë arrestuar edhe 2 persona të tjerë lidhur me rastin, njëri nga ta ka pasur lëndime nga mjeti i mprehtë ( thikë), në vendngjarje ishte edhe viktima e rastit e cila kishte lëndime në dorë, dhe dëshmitarja e këtij rasti. Të lënduarve iu është ofruar tretman mjekësor në spitalin rajonal në Pejë, personat e përfshirë në këtë rast janë intervistuar dhe me vendim të Prokurorit të shtetit, njëri nga të dyshuarit dërgohet në mbajtje për 48-orë, ndërsa të dyshuarit të tjerë lirohen në procedurë të rregullt”, ka treguar Rugova.

Rasti cilësohet “Vrasje në tentativë”, “Dhunë në familje dhe Asgjësim” apo “dëmtim i pasurisë”.