Peja fajëson Federatën për shtyrjen e ndeshjeve, thotë se ajo ka kontratë kundërligjore

Peja ka konfirmuar se ndeshja me Golden Eagle Yllin është shtyrë. Kjo ndeshje e Superligës në basketboll është dashur të luhet sonte prej orës 17:00. Lojtarët kanë dalë në parket dhe kanë pritur deri në 17:30 për të nisur ndeshjen. Por paqartësitë lidhur me transmetimin e ndeshjeve kanë bërë që dy ndeshjet e së enjtes të shtyhen.

Për Pejën, situata që solli shtyrjen e ndeshjeve është absurde. Klubi pejan ka fajësuar Federatën për situatën e krijuar.

“Ndeshja e paraparë të zhvillohet nga ora 17:00 në mes të KB Peja dhe KB Ylli është shtyrë për një datë tjetër, përmes një thirrje telefonike të kryetarit te Komesari. Kjo pasi që Federata e Basketbollit ka kontratë të dyfishtë kundërligjore me dy operatorë për transmetimin e ndeshjeve. Kompania ‘Art Motion’ ka fituar rastin në Gjykatën Themelore për prishje të paligjshme të kontratës dhe përsëri federata insiston që ndeshjet të transmetohen nga ‘Kujtesa’”, thuhet në një njoftim të klubit Peja.

“Me të vërtetë e hidhur dhe e trishtë situata. Ndeshjet anulohen për teke të disa personave ndërsa shpenzimet e klubeve nuk i interesojnë askujt”, vlerëson Peja.