Pedro Sanchez

Pedro Sanchez sërish kryeministër i Spanjës, siguron votat në Parlament

Pedro Sanchez fitoi mbështetjen e shumicës së ligjvënësve në parlamentin e Spanjës për të formuar një qeveri të re, duke i dhënë fund paralizës politike katërmujore në Madrid.

Kryeministri 51-vjeçar mbizotëroi në një votim në parlamentin e përçarë të Spanjës, me 350 vende, duke marrë vota po nga çdo grup i majtë dhe separatist. Në total, 179 ligjvënës e mbështetën Sanchezin.

Të shtatë ligjvënësit që i përkisnin partisë separatiste katalane Junts, e cila kishte fuqinë ose ta bënte Sanchezin kryeministër ose ta detyronte Spanjën të zhvillonte zgjedhje të reja, votuan në favor të tij. Po kështu bëri edhe përfaqësuesi i vetëm i Koalicionit Kanarian, i cili muajin e kaluar votoi gjithashtu në favor të përpjekjes së dështuar të liderit të Partisë Popullore të qendrës së djathtë Alberto Núñez Feijóo për të formuar një qeveri.

Siç pritej, 171 ligjvënës që i përkisnin partisë së Feijóo-s dhe grupit të ekstremit të djathtë Vox, si dhe Bashkimit Popullor të Navarresit konservator, votuan kundër kandidatit socialist, shkruan Politico.

Fitorja e Sanchez-it në parlament përfundon një periudhë trazirash politike që nisi në maj, kur udhëheqësi socialist shpalli zgjedhje të parakohshme pasi partia e tij pësoi humbje shkatërruese në zgjedhjet rajonale dhe lokale në mbarë vendin.

Në atë kohë, Sánchez tha se spanjollët duhet të “qartësojnë se cilat forca politike duan të marrin drejtimin” dhe se ishte koha që zgjedhësit të “përcaktonin drejtimin politik të vendit”.

Pas një fushate, votuesit iu përgjigjën thirrjes së Sánchez-it duke zgjedhur një parlament në të cilin si blloqet politike të krahut të majtë dhe të djathtë nuk kishin një shumicë.

Sánchez e kuptoi menjëherë domosdoshmërinë e sigurimit të mbështetjes së partive separatiste dhe filloi negocimin e marrëveshjeve mbështetëse me secilën prej tyre.

Marrëveshja më komplekse ishte ajo e krijuar me partinë Junts, e cila kontrollohet nga ish-presidenti katalanas Carles Puigdemont. Udhëheqësi separatist, i cili ka jetuar në ekzil në Belgjikë që nga referendumi i dështuar i pavarësisë së Katalonjës në vitin 2017, kërkoi një amnisti për njerëzit e ndjekur penalisht për veprime të lidhura me lëvizjen.