Pediatria e fëmijëve lidhet me urë me Kirurgjinë Pediatrike në QKUK (Foto)

Shumë shpejt fëmijët kosovarë të cilët do të kenë probleme shëndetësore do të kenë kushte tërësishtë të tjera për mjekimin e sëmundjeve të tyre.

Klinika e Pediatrisë në QKUK brenda disa muajve do të ketë një mbështetje të madhe profesionale për trajtimin e fëmijëve, afër saj tashmë është ndërtuar spitali i Kirurgjisë Pediatrike me një hapësirë prej 10 mijë metra katrorë.

Ky spital që do të ketë një kapacitet prej 100 shtretërve do të ketë edhe shërbime laboratorike, diagnostike, mjekim intensiv, salla operative dhe çdo gjë tjetër, në mënyrë që fëmijëve tanë t’iu ofrohen shërbime sa më profesionale dhe të mos kenë nevojë më që të kërkojnë trajtim diku tjetër.

Ndërtimi i vrazhdë tashmë ka përfunduar kurse së fundmi ka nisur të bëhet edhe lidhja me urë në mes të Klinikës së Pediatrisë dhe ndërtesës së re të

Kirurgjisë Pediatrike. Kjo po bëhet në mënyrë që të mos ketë nevojë që pacientët e vegjël të dalin jashtë klinikës për të shkuar në klinikën tjetër për shërbime mjekësore.

Ministri i shëndetësisë, Uran Ismaili, vitin e kaluar kur zhbllokoi ndërtimin e këtij spitali, kishte thënë se projekti do të jetë gati për 22 muaj.

Sipas dinamikës së punimeve ky spital do të jetë i gatshëm për shërbime shëndetësore për fëmijët në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.

Spitali Pediatrik-Kirurgjik pritet të jetë nga ndërtesat më moderne me shërbimet më të sofistikuara për fëmijë.