Peci: Vjosa Osmani ia ka kaluar edhe Presidentit Rugova në përfaqësim ndërkombëtar

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani dhe ish-presidenti Ibrahim Rugova, janë dy nga figurat më të rëndësishme në vendin tonë.

Ai tha se shefja e shtetit aktualisht është duke e përfaqësuar Kosovën në mënyrë dinjitoze, e ndoshta sipas tij, edhe përtej saj, krahasuar me Rugovën.

“Unë mendoj që Vjosa Osmani është bashkë me presidentin e ndjerë Rugova, dy nga figurat më të rëndësishëm dhe me përfaqësimin më dinjitoz që e kanë dhënë, në të kaluarën Rugova, ndërsa aktualisht Vjosa Osmani është duke e përfaqësuar Kosovën po aq dinjitoze, ndoshta në disa aspekte të prezantimit edhe përtej saj”, tha ai.

“Po, presidenti Rugova ka pasur një afinitet të krijojë miq dhe aleanca, secili i ka pjesët më të forta ose të dobëta. Pjesa më e fortë e presidentes Osmani është prezantimi shumë dinjitoz para forumeve, ku me një audiencë mundet me pasë edhe personalitete, figura shumë të rëndësishme politike, të komunitetit të biznesit dhe çështje tjera. Vjosa e ka këtë aftësi edhe këtë afinitet që me prezantu në mënyrë briliante. Avantazhi i saj është njohja e shumë gjuhëve të huaja që ia mundëson një prezantim shumë të lartë e dinjitoz në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Peci në Kanal 10.