Peci pas aksionit të Policisë në Ministrinë e Bujqësisë: Do t’ia kthejmë reputacionin dhe imazhin kësaj ministrie

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci e ka përshëndetur veprimin e organeve të Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës për aksionin e sotëm ku u arrestuan 21 persona në rastin “Subvencioni 2021”.

Peci thotë se veprimi i sotëm është përpjekja më serioze për kthimin e dinjitetit të bujqve e fermerëve, për të cilët thotë se ndër vite janë bërë pre e skemave mashtruese.

“Fermerët dhe bujqit  i inkurajoj të bashkëpunojnë me organet e rendit për ta denoncuar çdo veprim, i cili ka cenuar dhe dëmton punën dhe djersën e tyre. Subvencionet duhet të arrijnë te bujqit, por jo te keqpërdoruesit dhe mashtruesit.

Duke ndarë subvencione për fermerë e bujq, pa ndërmjetësues e pa keqpërdorues do të mund ta sigurojmë një ambient dhe klimë të favorshme për këtë kategori jetike për shtetin”, tha Peci në një postim në Facebook.

Ai thotë se nuk do të ndalen që kësaj ministrie t’ia rikthejnë reputacionin dhe imazhin që e meriton.

“Kjo që ndodhi sot është përpjekje për vendosje të ligjshmërisë. Nuk do të ndalemi dhe nuk do të kursehemi që këtë Ministri që është bërë e famshme shkaku i skemave kriminale t`ia rikthejmë reputacionin, besimin dhe imazhin që meriton, në mënyrë që ta vejmë ekskluzivisht në dobi të bujqve e fermerëve”, shtoi Peci.

Ndërsa, sot, përmes një konference për media, prokurori i çështjes, Rafet Halimi, tha se operacioni është zhvilluar në disa komuna të Kosovës, si në Prishtinë, Pejë, Gjilan dhe Istog.

Numri i të arrestuarve është 21. Nga ky numër, 14 janë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dhe zyrtarë në Komuna të Kosovës.