Peci i GUXO selam Kurtit dhe LVV-së: Besoj se do të ishte mirë ta kishim grupin tonë parlamentar

Ministri i Bujqësisë dhe bashkëkryetar i partisë GUXO, Faton Peci, e ka parë si një mundësi të mirë, krijimin e grupit parlamentar të GUXO-s.

Ai, në një intervistë në Rubikon, ka thënë se nuk e kanë fshehur asnjëherë dëshirën që të përfaqësohen si grup parlamentar brenda kuvendit.

“Prej fillimi nuk e kemi fshehur ambicien dhe dëshirën tonë të përfaqësohemi edhe në nivel të grupit parlamentar brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës, por megjithatë nuk  e kemi interesimin të bëjmë oferta te deputetët për të krijuar mundësinë e themelimit të këtij grupi.  Besoj se do të ishte mirë ta kishim grupin edhe unë jam prej atyre që kanë mbrojtur idenë që në momentin që të krijohet mundësia të kemi grupin tonë parlamentar”, ka thënë Peci në Rubikon.

Ai shtoi se përfaqësimi i GUXO-s, si grup parlamentar, do t’i konvenonte edhe partnerit të tyre të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Pavarësisht se kohezioni brenda grupit  është shumë I mirë brenda Lëvizjes Vetëvendosje, por thjesht e shoh një hapësirë shtesë dhe mandej nuk do të ishte vetëm interes i partisë GUXO, por edhe i vetë partnerit tonë Vetëvendosjes, themelimi i një grupi të ri parlamentar. Do të ishte më mirë, për shkak se në debatet që zhvillohen në kuvend, ndryshe është kur e ke një shef të grupit parlamentar dhe ndryshe kur flasin dy shefa të grupeve parlamentare dhe në shikim të parë këtu krijohet një pjesë e dallimit dhe mundësive”, ka shtuar ai.