PDK-së i bashkohen 16 studentë, Hoxhaj i thotë se ka platformë të veçantë
Kryetari në detyrë i PDK-së, njëherësh kandidat për Kryeministër të Kosovës, Enver Hoxhaj, sot ka pritur studentë të dalluar nga fusha të ndryshme, të cilët i janë bashkuar partisë.
Kandidati për Kryeministër, Enver Hoxhaj e mirëpriti ardhjen e 16 studentëve ekselentë të të gjitha fushave në PDK, duke theksuar se Partia Demokratike i ka gjithmonë dyert e hapura për të rinjtë.
“Është kënaqësi e madhe të bashkëbisedojmë dhe të shkëmbejmë ide për të ardhmen e vendit. Partia Demokratike gjithmonë i ka pasur prioritet kërkesat dhe nevojat e studentëve, nga lirimi i pagesave e deri të hapja e universiteteve të reja nëpër qytetet e mëdha”, tha Hoxhaj.
Ai theksoi se PDK në programin e saj ka përgatitur një pako të veçantë për ofrimin e kushteve me të mira për studentët, gjë që do të ndikojë në ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.
“Në shërbim të këtij vizioni, Partia Demokratike e Kosovës ka përgatitur edhe një pako të veçantë që lidhet direkt me përmirësimin e kushteve për studentët kosovarë dhe ngritjen e cilësisë së arsimit. Ne mbetemi platforma më e mirë politike në vend për të gjithë studentët të cilët dëshirojnë të marrin përgjegjësi në zhvillimin e Kosovës”, përfundoi Hoxhaj.