PDK: Qeveria Kurti po thellon varfërinë, migrimin dhe falimentimin e firmave – të hiqet TVSH-ja, akciza dhe të rriten pagat

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci dhe Koordinatori i Departamentit për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, sot, në një konferencë për media, i kanë bërë thirrje Qeverisë që të reagoj urgjentisht në lidhje me krizën ekonomike në vend.

Rritja e çmimeve të të gjitha produkteve esenciale, e inflacionit dhe mos veprimi i Qeverisë me pako konkrete, po bën që familjet të shkojnë drejt varfërimit, punëtorët drejt perëndimit e firmat drejt falimentimit.

Blerand Stavileci, duke numëruar sfidat me të cilat po ballafaqohen sot qytetarët e Kosovës, ka thënë se e vetmja qeveri në botë që nuk po e pranon krizën dhe nuk po vepron për ta lehtësuar atë, është Qeveria e Albin Kurtit.

“Rëndimi i firmave kosovare me vendime të paqëndrueshme arbitrare zvogëlon të hyrat për to dhe ka efekt direkt në shkurtimin e vendeve të punës dhe rritjen e papunësisë. Papunësia krijon pasiguri. Papunësia dhe pasiguria prodhojnë kriza familjare, sociale dhe psikologjike, e krizat familjare, sociale dhe psikologjike, po prodhojnë ikjen dhe po shtojnë radhët rekorde të ikjeve para ambasadave të huaja. Familjet po shkojnë drejt varfërimit, punëtorët drejt perëndimit e firmat drejt falimentimit”, ka thënë Stavileci.

Më tej, Stavileci ka thënë se krahas pandemisë dhe krizës energjetike, armiku numër një për të gjitha familjet, punëtorët dhe firmat është bërë inflacioni.

“Qeveritarët e Albin Kurtit nuk do të duhej të silleshin si sehirxhi. Qeveria nuk është spektatore, ajo duhet të jetë aktore dhe promotore e zhvillimit. E nëse këtë s’mund ta bëjë, atëherë minimalisht le të kujdeset që qytetarëve dhe familjeve t’u ndihmojë në përballje me këto kriza”, tha Stavileci.

Ndërsa, Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, ka thënë se ritmi me të cilin po zhvillohet inflacioni në Kosovë paraqet një shqetësim shumë serioz për ekonominë e vendit, përderisa sjellja e deritanishme e Qeverisë kundrejt këtyre zhvillimeve ka qenë neglizhente dhe e papërgjegjshme.

“Refuzimi për të përdorur instrumentet fiskale në dispozicion të Qeverisë, siç janë akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, ka krijuar kushtet që inflacioni të përshpejtojë ritmin e rritjes. Zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, përfshirë edhe zhvlerësimin e valutës euro ndaj dollarit amerikan, sugjerojnë se kriza e inflacionit vetëm sa do të shkojë duke u përkeqësuar”, tha Mustafa.

Më tej, ai ka shtuar se integrimi i pritjeve për inflacionin në vendimet e qytetarëve dhe firmave në Kosovë rrezikon të krijoj një valë të re inflacioni, e cila më nuk lidhet vetëm me produktet e importuara, por edhe produktet dhe shërbimet e prodhuara brenda vendit.

Ai tha se tendenca për të adresuar problemin e inflacionit përmes kontrollit të marzhave të profitit është një politikë e gabuar dhe e pa matur për disa arsye:

“Së pari, para se të mendohet për kontrollin e marzhave të profitit, Qeveria duhet të ofrojë evidencë të bazuar në analiza profesionale që vërteton se rritja e çmimeve të produkteve esenciale në Kosovë po ndodhë për shkak të abuzimit me marzhat e profitit dhe jo për shkak të zhvillimeve të tregut. Së dyti, kontrolli i marzhave të profitit, që në një mënyrë paraqet edhe kontroll të çmimit, cenon funksionimin e ekonomisë së lirë të tregut, pengon konkurrencën dhe mund të prodhojë probleme shtesë për ekonominë e vendit. Së treti, disponimi i Qeverisë aktuale për të interferuar në çmimet e sektorit privat, në vend se të përdorë instrumentet e politikave ekonomike në dispozicion, rrezikon lirinë ekonomike dhe krijon pasiguri për të ardhmen e ekonomisë së lirë të tregut në Kosovë. Së katërti, përvojat ndërkombëtare tregojnë se politikat e kontrollit të çmimeve në të kaluarën janë dëshmuar si jo të suksesshme në luftën kundër inflacionit”, ka thënë Arben Mustafa.

Sipas Mustafës, Qeveria nuk duhet të humbë kohë edhe më tutje duke improvizuar me masa, por kërkohet që urgjentisht ta ushtrojë rolin që i takon, duke shfrytëzuar politikën fiskale për të ndikuar në frenimin e rritjes së çmimeve.

“Është nevojë urgjente dhe e domosdoshme që të bëhet lirimi nga TVSH-ja e mallrave esenciale të konsumit për një periudhë të caktuar dhe të largohet akciza dhe të zbritet TVSH-ja në produktet e naftës, po ashtu për një periudhë të caktuar kohore”, ka thënë ai.